Secondary Adv

BB: Shqipëria kryeson rajonin për mjaftueshmërinë e kapitalit në sektorin bankar

Banka Botërore vlerëson se bankat në Ballkanin Perëndimor mbeten të mirëkapitalizuara, ndërsa Shqipëria renditet ndër vendet me pozicionin më të fortë financiar në rajon.

Raporti më i fundit i Bankës Botërore tregon se rritja e kreditimit për familjet në vendet e Ballkanit Perëndimor është mbështetur kryesisht nga kreditë për banesa, si rezultat i kushteve më të favorshme të financimit dhe politikave të orientuara drejt tregut të pasurive të paluajtshme.

 

Në Shqipëri, që nga mesi i vitit 2025, janë vendosur kufizime detyruese për raportin kredi-vlerë dhe për peshën e këstit mujor ndaj të ardhurave, veçanërisht për individët me nivele më të larta borxhi ose me kontribute fillestare të ulëta. Sipas raportit, këto masa synojnë të kufizojnë rreziqet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të ruajnë stabilitetin financiar.

 

Ndërkohë, në Kosovë është aplikuar rezervë kundërciklike që në fund të vitit 2024, ndërsa në vendet e tjera të rajonit janë ndërmarrë masa të ndryshme për të menaxhuar zgjerimin e kreditimit.

 

Bankat mbeten të mirëkapitalizuara

Banka Botërore thekson se sektori bankar në rajon vijon të mbetet i qëndrueshëm dhe me nivele të larta kapitalizimi. Raporti mesatar i mjaftueshmërisë së kapitalit në Ballkanin Perëndimor vlerësohet rreth 19.6%, dukshëm mbi kufijtë minimalë rregullatorë.

 

Sipas raportit, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të kapitalizimit bankar në rajon, duke reflektuar aftësinë e sektorit për të përthithur humbjet dhe për të ruajtur stabilitetin financiar edhe në kushte pasigurie ekonomike.

 

Paralelisht, cilësia e portofolit të kredisë ka vijuar të përmirësohet në të gjithë rajonin. Kreditë me problemekanë zbritur në nivele historikisht të ulëta, duke qenë rreth 2.1% në Kosovë dhe Serbi, ndërsa në Shqipëri raporti rezulton 3.8%, mbi mesataren rajonale prej 2.8% në fund të vitit 2025.

 

Kreditimi për banesa mbështet rritjen

Raporti vëren se rritja e kreditimit në rajon është mbështetur kryesisht nga kreditë hipotekare dhe financimi për blerjen e banesave.

 

Në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, konkurrenca më e fortë mes bankave ka përmirësuar kushtet e huamarrjes për familjet, ndërsa në Serbi autoritetet kanë ndërhyrë për të krijuar kushte më të favorshme për familjet me të ardhura më të ulëta.

 

Nga ana tjetër, Banka Botërore paralajmëron se zgjerimi i kreditimit dhe rritja e tregut të pasurive të paluajtshme kërkojnë kujdes më të madh nga autoritetet rregullatore për të shmangur krijimin e rreziqeve financiare dhe ndikimin afatgjatë në inflacionin e shërbimeve.

 

Në këtë kuadër, disa vende të rajonit kanë nisur të shtrëngojnë gradualisht kushtet për kreditë hipotekare. Maqedonia e Veriut, për shembull, ka rritur pagesën minimale fillestare për blerjen e banesave nga 15% në 25%, me përjashtim të blerësve për herë të parë.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat